Shtatë produkte qumështi largohen nga tregu për mungesë deklarimi të vajit të palmës
Të enjten u larguan nga tregu shtatë produkte qumështi pasi nuk kishin deklaruar përmbajtjen e vajit të palmës. Veprimi erdhi pas kontrolleve të kryera lidhur me etiketime dhe sigurinë e ushqimit.
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut zhvilloi kontrolle në Prishtinë, Gjilan, Podujevë, Fushë-Kosovë, Obiliq dhe Suharekë, ku u kontrolluan 12 markete.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), gjatë kontrolleve u evidentuan produkte që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) i ka të ndaluara për shitje, dhe si rezultat u morën masa për largimin e tyre nga rafte.