Gati 40 mijë euro u gjetën në shtëpinë e të dyshuarit për spiunazh në Dragash
Gati 40 mijë euro u gjetën në shtëpinë e të dyshuarit për spiunazh, Fehim Saliu, gjatë një bastisjeje në Dragash. Me aktvendim të Prokurorisë Speciale, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Në bastisjen që zhvilluan hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda u gjetën dhe u sekuestruan para të gatshme në vlerë prej 39,500 eurosh, 500 dinarë si edhe katër telefona celularë. Fotografitë që ka publikuar policia tregojnë se paratë ishin gjetur në një dhomë gjumi.
Prokuroria ka bërë me dije se brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.