Foto: Gjetje në Kalludër: gjenden mbetje eshtrash të tre personave

Gjetje në Kalludër: gjenden mbetje eshtrash të tre personave

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, gjatë gërmimeve në fshatin Kalludër të Zubin Potokut janë gjetur mbetje eshtrash të tre personave. Eksperti mjeko-ligjor ka konstatuar se ato janë me prejardhje njerëzore dhe kanë interes forenzik, thuhet në raport. Gërmimet po kryhen me urdhër të Prokurorisë Speciale.

Raportohet se mbetjet dyshohet t’u përkasin viktimave të luftës së fundit në Kosovë. Njësitet policore po kryejnë gërmime edhe në dy lokacione të tjera si pjesë e hetimeve për personat e zhdukur gjatë konfliktit, sipas raportit të policisë.

Hetimet dhe ekzaminimet forenzike po vazhdojnë në vendngjarje, ndërsa Prokuroria Speciale dhe ekspertët mjeko-ligjorë mbikëqyrin punimet për identifikim dhe përcaktimin e rrethanave të gjetjes.