Kosovari në paraburgim 30 ditë në Serbi, MPJ kërkon leje për vizitë
Dukagjin Maxhuni, shtetas i Kosovës, i është caktuar 30 ditë paraburgim në Serbi, njofton Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Sipas Ministrisë, autoritetet gjyqësore serbe kanë inicuar procedurë penale ndaj tij dhe ndaj tij është ekzekutuar masa e paraburgimit në Beograd.
Ministria thotë se ka njoftuar Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi dhe ka dërguar notë verbale pranë misioneve diplomatike të vendeve të QUINT-it të akredituara në Serbi, me qëllim sigurimin e angazhimit të partnerëve ndërkombëtarë për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurinë e tij.
MPJD po ashtu njofton se do të kërkojë nga autoritetet serbe leje që familja të ketë qasje dhe ta vizitojë të paraburgosurin.