Foto: Aktakuzë ndaj pronarit të biznesit për dokumente të dyshuara të falsifikuara në tenderin e Spitalit të Pejës

Aktakuzë ndaj pronarit të biznesit për dokumente të dyshuara të falsifikuara në tenderin e Spitalit të Pejës

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj R.K. dhe një personi juridik, nën dyshimin për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik, si dhe për falsifikim të dokumentit.

Sipas aktakuzës, R.K., në cilësinë e pronarit dhe përfaqësuesit të autorizuar të një operatori ekonomik, dyshohet se gjatë një tenderi të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë për furnizim me libra të protokollit ka paraqitur dhe përdorur dokumentacion të rremë.

Dokumentet e dyshuara përfshinin një CV, kontratë pune dhe certifikatë universitare në emër të një personi tjetër, pa lejen dhe dijeninë e tij. Po ashtu, R.K. dyshohet se ka përpiluar një kontratë pune të falsifikuar dhe e ka paraqitur atë si dokument origjinal në procedurën e prokurimit.

Edhe personi juridik dyshohet se ka përdorur dokumentacion të rremë me qëllim të ndikimit në vendimin e autoritetit kontraktues dhe përfitimit të kontratës. Rasti lidhet me procedurën e prokurimit të zhvilluar nga Spitali i Përgjithshëm në Pejë.