Foto: Alarm i rremë për terrorizëm në shkollë, arrestohet 47-vjeçari në Tiranë

Alarm i rremë për terrorizëm në shkollë, arrestohet 47-vjeçari në Tiranë

Një 47-vjeçar me inicialet M.J. është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se dha alarm të rremë për terrorizëm dhe lëndë të rrezikshme në një shkollë nëntëvjeçare. Ngjarja ndodhi të hënën paradite, pas një telefonate në polici rreth orës 06:30.

Sipas Policisë, pas njoftimit në shkollë u dërguan shërbimet policore, Njësia Antieksploziv dhe Njësia Antiterror. Kontrollet në objekt nuk zbuluan lëndë të rrezikshme, duke vërtetuar se informacioni për terrorizëm ishte i rremë.

Policia bëri të ditur se 47-vjeçari dyshohet se të njëjtin informacion e kishte publikuar edhe në rrjetet sociale. Ai u arrestua për veprat penale “Njoftimi i rremë në organet e rendit” dhe “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.