Arrestohet 57-vjeçari në Durrës, pritet ekstradimi drejt Kosovës

Policia e Shqipërisë njofton se një 57-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Kosovës është arrestuar në Durrës dhe pritet të ekstradohet drejt Kosovës.

Sipas njoftimit, shtetasi me inicialet E. Zh., 57 vjeç dhe i lindur në Kosovë, u lokalizua dhe u arrestua provizorisht në lagjen nr. 13 të Durrësit në kuadër të operacionit policor të koduar “Wanted 38”.

Siç bëhet e ditur, Gjykata e Prishtinës e ka dënuar personin me 3 vjet e 6 muaj burgim për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”. Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet homologe të Kosovës, po vijon procedurat për ekstradimin.

Specialistët e Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit pranë DVP Durrës finalizuan operacionin, ndërsa i arrestuari mbahet në arrest provizor derisa të përfundojnë procedurat e ekstradimit.