Avdullah Hoti dëshmon: Ministri kishte pavarësi për udhëzimet administrative
Ish-kryeministri dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, është paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku po dëshmon në procesin gjyqësor ndaj ish-ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi.
Gjatë dëshmisë, Hoti deklaroi se ministrat kanë pavarësi për nxjerrjen e udhëzimeve administrative brenda fushëveprimit të ministrive që drejtojnë. Sipas tij, ministri ka përgjegjësi për këto udhëzime, ndërsa të tjerët vetëm konsultohen.
Procesi ndaj Krasniqit lidhet me Udhëzimin Administrativ për kontrollin dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës, të miratuar më 11 nëntor 2020.
Krasniqi po gjykohet nën akuzën për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Sipas aktakuzës, ai dyshohet se, në cilësinë e ministrit, i ka tejkaluar kompetencat zyrtare gjatë trajtimit të këtij udhëzimi administrativ.