Bllokadë në Kuvend, Zemaj: Kemi ngërç kushtetues
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se vendi përballet me një ngërç kushtetues dhe me një bllokadë në Kuvend, që po shkakton stagnim dhe dëmton proceset demokratike.
Ai bëri të ditur se grupi parlamentar i LDK-së do të mblidhet sot për të diskutuar zhvillimet dhe hapat e mëtejshëm.
“Po, ne kemi mbledhje sot; të gjithë deputetët janë dhe do të shohim edhe komunikimin që ka kryetari i LDK-së,” tha Zemaj, duke nënvizuar se pas takimit do të vendoset për veprimet e ardhshme.
Zemaj theksoi se Prokuroria dhe hetuesia duhet të verifikojnë ku janë shkeljet ligjore dhe të bëjnë punën e tyre.
Pas mbledhjes së grupit parlamentar pritet të sqarohet se çfarë hapash do të ndërmerren për të adresuar bllokadën në Kuvend dhe për të lehtësuar procesin e konstituimit të institucioneve.