Foto: Dëshmi të reja në gjykimin për vrasjen e 34 civilëve në Vrellën e Mihillit

Dëshmi të reja në gjykimin për vrasjen e 34 civilëve në Vrellën e Mihillit

Detaje të reja janë paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Departamentin Special, gjatë gjykimit ndaj Ramadan Morinës, i akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile në Burim të Malishevës.

Një nga dëshmitë e paraqitura në seancë lidhet me pretendimin se urdhri për të qëlluar mbi civilët ishte dhënë në gjuhën shqipe. Procesi gjyqësor ka të bëjë me dosjen për vrasjen e 34 civilëve në vendin e quajtur “Vrella e Mihillit”.

Në seancë u dëshmua për ndarjen e burrave nga gratë dhe për rreshtimin e burrave me duart prapa kokës. Po ashtu, u përmend keqtrajtimi që dyshohet se u ishte bërë para të shtënave.

Gjykimi po zhvillohet pranë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me trup gjykues të kryesuar nga gjyqtari Rrahman Beqiri, ndërsa anëtare janë Donikë Shala Avdyli dhe Violeta Namani Hajra.