Fluturimi anulohet pas pritjes me orë në Aeroportin e Prishtinës
Një numër udhëtarësh kanë mbetur sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, pasi fluturimi i planifikuar për në orën 08:45 është anuluar. Pasagjerët nuk kanë marrë informacion të qartë nga kompania “Air Prishtina”.
Sipas një sinjalizuesi, udhëtarët i kishin dorëzuar bagazhet dhe kishin pritur për orë të tëra në aeroport, para se të kuptonin se fluturimi ishte anuluar.
Sinjalizuesi ka deklaruar se pasagjerët kishin mbërritur në aeroport, kishin përfunduar dorëzimin e valixheve dhe kishin pritur gjatë, ndërsa njoftimi për anulimin e fluturimit erdhi vetëm më pas. Në këtë situatë, udhëtarët mbetën pa një informacion të qartë nga kompania për anulimin e fluturimit.