Foda flet pas tërheqjes së Amir Rrahmanit, mohon bojkotin e lojtarëve të tjerë
Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka folur për vendimin e Amir Rrahmanit që të tërhiqet nga ekipi përfaqësues, duke mohuar se ky vendim mund të pasohet nga bojkotimi i Kombëtares nga futbollistë të tjerë.
Foda ka treguar se është njoftuar personalisht nga Rrahmani për tërheqjen e tij. Sipas deklarimit të përzgjedhësit, kapiteni e ka lidhur vendimin me vazhdimin e udhëheqjes së Federatës së Futbollit të Kosovës nga personat aktualë.
“Gjithçka është shumë emocionale në Kosovë. Fakti është se Amir Rrahmani ka dhënë dorëheqjen. Ai më informoi personalisht për këtë”, ka thënë Foda.
Përzgjedhësi ka kundërshtuar mundësinë që vendimi i Rrahmanit të shoqërohet me tërheqje të tjera. Ai ka deklaruar se të gjithë lojtarët që janë në formë dhe që do t’i ftojë do të jenë të pranishëm dhe do të përgatiten për ndeshjet së bashku me të.