Mostrat e gërmimeve në Zubin Potok dërgohen në Holandë për testim të ADN-së
Mostrat biologjike të nxjerra gjatë gërmimeve në lokacionet e dyshuara për varre masive në Zubin Potok do të dërgohen për testim të ADN-së në laboratorin e Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur në Holandë, ka thënë Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Sipas Garës, eshtrat së pari i nënshtrohen ekzaminimit mjeko-ligjor në Institutin e Mjekësisë Ligjore të Kosovës, ndërsa mostrat referuese biologjike më pas dërgohen për analizë të ADN-së në laboratorin ndërkombëtar në Holandë.
Kushtrim Gara ka bërë të ditur se rezultatet e analizave të ADN-së mund të zgjasin rreth 4 deri në 6 javë. Gërmimet në terren dhe përpunimi i mostrave vazhdojnë derisa të merren rezultatet laboratorike që do të ndihmojnë në identifikim.