Grabitet shtëpi në Leposaviq; vidhen 12,000 euro dhe bizhuteri, tre të arrestuar
Një shtëpi u grabit në Leposaviq; nga banesa u vodhën 12,000 euro, 40,000 dinarë dhe dy zinxhirë ari. Si pasojë e hetimeve, policia ka arrestuar tre të dyshuar, ndërsa i katërti është ende në arrati.
Policia tha se rasti u raportua më 20 gusht në Stacionin Policor në Leposaviq. Sipas deklarimit të ankuesit, persona të panjohur kishin depërtuar në shtëpi dhe kishin marrë paratë dhe bizhuteritë në kohën kur në shtëpi nuk ndodhej askush.
Rasti është kaluar për trajtim dhe hetim tek Njësia Rajonale e Hetimeve Mitrovicë Veri. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operative, dhe bashkëpunimit me qytetarët, policia arriti të identifikojë katër të dyshuar dhe të arrestojë tre prej tyre.
Policia njofton se kërkimi për personin e katërt vijon dhe hetimet ndaj të arrestuarve dhe rrethanave të ngjarjes janë në progres.