Foto: Gucati para verdiktit në Hagë: “Kjo gjykatë mund ta kënaqë vetëm Rusinë e Serbinë”

Gucati para verdiktit në Hagë: “Kjo gjykatë mund ta kënaqë vetëm Rusinë e Serbinë”

Pak orë para shpalljes së verdiktit nga Dhomat e Specializuara në Hagë, ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka shprehur optimizëm për vendimin e pritshëm.

Në një prononcim për RTK-në nga Haga, ku kishte udhëtuar për ta ndjekur drejtpërdrejt seancën, Gucati tha se pret një vendim pozitiv për ish-krerët e UÇK-së. Ai theksoi se, sipas tij, akuzat ndaj tyre nuk janë të bazuara në fakte dhe argumente.

“Pritjet e mia janë të mëdha, besoj se sot do të gëzohemi të gjithë me këtë qytetarë edhe me juve që jeni këtu. Besoj se verdikti do të jetë në anën tonë, duke pasur parasysh që s’kanë pasur fakte e argumente”, deklaroi Gucati.

Gucati kritikoi gjithashtu punën e Dhomave të Specializuara, duke thënë se, nëse ndodh e keqja, vendimi i kësaj gjykate mund ta kënaqë vetëm Rusinë dhe Serbinë.