Haxhiu: Stafi i Kuvendit nuk është palë në betejat politike
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, deklaroi se stafi profesional i Kuvendit nuk është palë në betejat politike dhe reagoi ndaj, siç tha, përfshirjes dhe presionit ndaj tyre për shkak të detyrave që kryejnë.
Përmes një postimi në profilin e saj në Facebook, Haxhiu shkroi se mospajtimet politike duhet të mbeten mes bartësve të përgjegjësive politike dhe se opozita nuk duhet të përfshijë zyrtarët profesionalë të Kuvendit në këto përplasje. “Opozita nuk duhet ta përfshijë stafin profesional të Kuvendit në këto përplasje, ta vërë nën presion apo ta shënjestrojë për shkak të punës që kryen”, tha ajo.
Ajo kërkoi që çdo vërejtje ndaj punës së saj të adresohet drejtpërdrejt tek ajo ose përmes mekanizmave institucionalë dhe theksoi se zyrtarëve profesionalë nuk duhet t’u atribuohen motive politike vetëm për shkak të detyrave që kryejnë brenda Kuvendit.