I kërkuari nga Gjermania për trafikim droge arrestohet në Morinë
Një 34-vjeçar nga Ferizaj, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane për trafikim të lëndëve narkotike, është arrestuar në pikën kufitare të Morinës.
Arrestimi u krye nga Policia Kufitare e Morinës, në bashkëpunim me shërbimet e DVP-së Kukës. I ndaluari, shtetasi kosovar me inicialin Y., u identifikua gjatë hyrjes në territorin e Shqipërisë.
Pas verifikimeve me Interpol Tiranën, rezultoi se ndaj 34-vjeçarit Gjykata e Wiesbadenit në Gjermani kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet gjermane, ka nisur procedurat për ekstradimin e tij drejt Gjermanisë.