Bllokohet në Tivar kontejneri me 24 tonë mish të skaduar për “Apetit”
Një kontejner me 24 tonë mish me afat të skaduar, i destinuar për kompaninë kosovare “Apetit SHPK”, u bllokua të enjten nga autoritetet e Malit të Zi në Portin e Tivarit.
Ngarkesa përmbante mish viçi me origjinë nga Brazili dhe u ndalua nga Dogana e Malit të Zi gjatë kontrollit në port. Bëhet fjalë për një sasi të madhe produktesh që ishte porositur nga kompania “Apetit SHPK”.
Rasti vjen pas njoftimit të autoriteteve doganore malazeze më 15 shtator për bllokimin e tre kontejnerëve të tjerë me mish viçi nga Brazili, të destinuar për një kompani nga Kosova.
Për sasinë prej 74 tonësh mish të skaduar në tre kontejnerët e bllokuar më herët, punonjës të “Apetit SHPK” dyshohet se tentuan të falsifikonin etiketat e afatit të përdorimit. Autoritetet malazeze e kishin identifikuar fillimisht kompaninë vetëm me inicialet “A… Sh.P.K.”.