Foto: Kosova ka shfrytëzuar vetëm 7% të Planit të Rritjes, afati po afrohet

Kosova ka shfrytëzuar vetëm 7% të Planit të Rritjes, afati po afrohet

Kosova ka shfrytëzuar vetëm 7% të Planit të Rritjes dhe qindra milionë euro mbeten pezull, një zhvillim që vjen ndërsa afati për të përdorur fondet po afrohet.

Në nivel rajonal, vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten larg shfrytëzimit të plotë të paketës financiare prej 6 miliardë eurosh të Bashkimit Evropian. Të dhënat tregojnë se nga viti 2024 deri në maj 2026 janë disbursuar vetëm 673.6 milionë euro, ose 11.2% e Planit të Rritjes, ndërsa rreth 5.33 miliardë euro mbeten ende të pashpërndara.

Plani i Rritjes përbëhet nga 4 miliardë euro kredi me kushte të favorshme dhe 2 miliardë euro grante. Sipas të dhënave, të gjitha projektet e mbështetura duhet të përfundojnë deri në fund të vitit 2027 dhe nuk parashikohet shtyrje e afatit.

Me pak më shumë se një vit të mbetur deri në afatin përfundimtar, përdorimi i dobët i fondeve rrezikon që qindra milionë euro të mbeten të papërdorura dhe projekte të rëndësishme lokale të mos përfundojnë brenda kohës së parashikuar.