Foto: Krasniqi kritikon VV-në për Specialen: “Tejet e rëndë për aktivistët”

Krasniqi kritikon VV-në për Specialen: “Tejet e rëndë për aktivistët”

Alban Krasniqi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe bashkëshorti i Albulena Haxhiut, ka kritikuar VV-në pas votimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se votimi i projektligjit mund të krijojë përshtypjen se Lëvizja Vetëvendosje po e pranon Gjykatën Speciale.

“Me faktin që LVV po e voton këtë ligj po i bie disi që e pranon këtë gjykatë dhe kjo është tejet e rëndë për secilin aktivist që ka kundërshtuar Gjykatën Speciale”, ka shkruar ai.

Krasniqi ka argumentuar gjithashtu se ndryshimet e propozuara nuk e shfuqizojnë Gjykatën Speciale. Debati për ndryshimin e këtij ligji ishte iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës, ndaj së cilës ai po ashtu ka drejtuar kritika për qëndrimin e mbajtur në këtë çështje.