Mësimi tërëditor zgjerohet në katër shkolla të reja në Prishtinë
Mësimi tërëditor do të zgjerohet këtë vit shkollor në katër shkolla të reja në Prishtinë, si pjesë e përpjekjeve për riorganizimin dhe përmirësimin e procesit mësimor.
Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arianit Elshani, ka bërë të ditur se përgatitjet për nisjen e vitit të ri shkollor janë në fazën përfundimtare. Sipas tij, krahas zgjerimit të mësimit tërëditor, janë vendosur edhe masa të reja për regjistrimin e nxënësve dhe organizimin e mësimit.
Mësimi tërëditor do të nisë në shkollën “Mehmet Gjevor”, në shkollën “Afrim Gashi”, në shkollën e Vranidollit dhe në shkollën “Asim Vokshi”.
Elshani ka thënë se gjatë verës janë bërë përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, përfshirë sigurimin e kushteve teknike dhe furnizimin e shkollave me materiale pedagogjike.
Zgjerimi i mësimit tërëditor synon përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe mësimnxënies.