Oda Amerikane: Bllokimi politik po i kushton Kosovës, përgjegjësia kryesore i takon forcës me më shumë mandate
Oda Amerikane në Kosovë thotë se bllokimi politik po i kushton vendit dhe vendos përgjegjësinë kryesore te forca me më shumë mandate.
Në një reagim, Oda shpreh shqetësim të thellë për bllokimin e vazhdueshëm politik dhe institucional. Ajo përmend skenat e fundit në Kuvend, duke përfshirë konfrontime verbale e fizike ndërmjet përfaqësuesve të zgjedhur dhe incidente mes qytetarëve që ndodhën në sallë.
Oda thekson: “Kuvendi duhet të mbetet një hapësirë për debat demokratik, dinjitet institucional dhe respekt për qytetarët. Mospajtimet politike, sado të thella, nuk mund të arsyetojnë sjelljen që minon besimin e publikut në institucionet demokratike të Kosovës.”
Sipas Odës Amerikane, kriza e zgjatur tashmë po i shkakton Kosovës kosto dhe po minon besimin e publikut në institucionet demokratike, shqetësim që lidhet drejtpërdrejt me stabilitetin ekonomik dhe politik të vendit.
Oda i bën thirrje aktorëve politikë, veçanërisht forcës me më shumë mandate, të marrin përgjegjësi, të rikthejnë debatin dhe respektin në Kuvend dhe të parandalojnë dëmtime të mëtejshme ndaj ekonomisë dhe institucioneve.