Foto: Pas vdekjeve dhe aksidenteve në KEK, sindikata thërret mbledhje urgjente

Pas vdekjeve dhe aksidenteve në KEK, sindikata thërret mbledhje urgjente

Rastet e fundit të vdekjeve dhe aksidenteve të punëtorëve në Korporatën Energjetike të Kosovës kanë nxitur reagimin e sindikalistëve. Sindikata e Re e KEK-ut ka njoftuar se do të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme të Kryesisë.

Mbledhja do të zhvillohet të hënën, më 24 gusht, duke filluar nga ora 08:00, në zyrat e Sindikatës së Re të KEK-ut. Ajo është thirrur për shkak të shqetësimeve të vazhdueshme lidhur me sigurinë e punëtorëve në vendet e punës.

Sipas njoftimit të sindikatës, në rend dite do të jetë gjendja e sigurisë në vendet e punës, shkaqet e aksidenteve, si dhe rastet e punëtorëve që kanë pësuar lëndime ose kanë humbur jetën.

Gjatë mbledhjes pritet të përcaktohen qëndrimet dhe masat e nevojshme për rritjen e presionit ndaj punëdhënësit, me synim përmirësimin e sigurisë në vendet e punës. Sindikata ka kërkuar pjesëmarrje të plotë dhe serioze të anëtarëve të Kryesisë.