Foto: Policia paralajmëron shitësit online: Mos i jepni të dhënat bankare

Policia paralajmëron shitësit online: Mos i jepni të dhënat bankare

Policia e Kosovës ka paralajmëruar qytetarët për një formë mashtrimi që po përdoret gjatë shitjes së produkteve në platformat online. Persona të dyshuar paraqiten si blerës dhe tentojnë të sigurojnë të dhënat e kartelave bankare të shitësve.

Sipas Policisë, kohëve të fundit janë evidentuar raste kur persona të panjohur kontaktojnë qytetarët që kanë publikuar produkte për shitje, duke u prezantuar si blerës të interesuar.

Mashtrimi nis me dërgimin e lidhjeve të dyshimta, përmes të cilave pretendohet se duhet të kryhet pagesa për produktin. Në të vërtetë, këto vegëza përdoren për të mbledhur të dhëna të ndjeshme bankare.

Ndër të dhënat që synohen janë numri i kartelës, data e skadimit, kodi CVV/CVC dhe kodet e konfirmimit të transaksioneve. Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm gjatë shitjeve online dhe të mos ua dorëzojnë të dhënat bankare personave që kontaktojnë përmes këtyre skemave.