Foto: Prishtina cakton lokacionet për projektet e Lojërave Mesdhetare 2030

Prishtina cakton lokacionet për projektet e Lojërave Mesdhetare 2030

Kuvendi i Kryeqytetit ka votuar lokacionet për projektet strategjike që lidhen me organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, duke përcaktuar bazën e projekteve që synojnë transformimin e Prishtinës për këtë ngjarje.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se vendimet janë marrë në përputhje me masterplanin e miratuar për organizimin e Lojërave Mesdhetare. Sipas njoftimit të tij, 71 për qind e aktiviteteve të edicionit të vitit 2030 pritet të zhvillohen në kryeqytet.

Ndër projektet e planifikuara për Prishtinën janë Fshati Olimpik, Qendra Multisportive, Vertical Gym dhe Unaza e Qytetit. Në plan përfshihen edhe rrjeti i parkingjeve nëntokësore, Parku Botanik dhe projektet në zonën e Gollakut.

Rama ka thënë se projektet janë pjesë e një transformimi afatgjatë të kryeqytetit dhe se infrastruktura e ndërtuar për Lojërat Mesdhetare synohet të përdoret edhe pas përfundimit të tyre.