Prishtinë: Prokuroria kërkon një muaj paraburgim për gjyqtarin e arrestuar
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për një muaj ndaj gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Avdirrahman Gashi, i arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Kërkesën për paraburgim e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, e cila bëri të ditur se kërkesa është proceduar në gjykatë.
Seanca dëgjimore për caktimin e masës pritet të mbahet rreth orës 20:00 te gjyqtari i procedurës paraprake, sipas Zyrës për Informim dhe Komunikim me Media në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Avdirrahman Gashi u arrestua më 14 gusht nga Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Njësinë e Veçantë Hetimore të Policisë së Kosovës, pas një hetimi që, sipas autoriteteve, kishte zgjatur disa muaj.