Rriqra që të ndjek nga 200 metra është prej vitesh në Kosovë

Rriqra Hyalomma, e njohur si “rriqra gjuetare”, është prej vitesh e pranishme në Kosovë dhe monitorohet nga afër për shkak të rrezikut të përhapjes së etheve hemorragjike Krime-Kongo.

Ajo po përhapet edhe në pjesë të reja të Evropës, ndërsa mënyra e saj e lëvizjes e dallon nga shumë lloje të tjera të rriqrave. Hyalomma nuk qëndron e fshehur në bar duke pritur që njeriu apo kafsha t’i afrohet.

Sipas të dhënave të publikuara, kjo rriqër mund ta dallojë prenë deri në 200 metra larg dhe më pas ta ndjekë duke vrapuar. Rreziku kryesor lidhet me faktin se Hyalomma mund të jetë bartëse e virusit që shkakton ethet hemorragjike Krime-Kongo.