Studentët marshojnë nesër në Prishtinë kundër vendimit të Gjykatës Speciale
Studentët do të marshojnë nesër në Prishtinë kundër vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët janë dënuar me gjithsej 81 vjet burgim.
Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës ka njoftuar se protestës do t’i bashkohen edhe universitetet private. Thirrja u është drejtuar edhe qytetarëve, të cilët janë ftuar t’i bashkohen marshimit.
Marshi do të nisë në orën 11:30 nga Qendra e Studentëve dhe do të vazhdojë në drejtim të sheshit “Skënderbeu” në Prishtinë.
Sipas njoftimit të studentëve, fjalimet do të fillojnë në orën 12:00 në sheshin “Skënderbeu”. Organizatorët e kanë paraqitur marshimin si një protestë kundër vendimit të Gjykatës Speciale dhe në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.