Trump nënshkruan ligjin që hap rrugën për sanksione të ashpra ndaj Rusisë
Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar të premten ligjin që i hap rrugë vendosjes së sanksioneve të gjera ndaj Rusisë, në një përpjekje për të rritur presionin ndaj Moskës dhe për ta shtyrë drejt përfundimit të luftës në Ukrainë.
Ligji, i njohur si “Lindsey O. Graham Sanctioning Russia and Iran Act”, ishte miratuar dy ditë më parë nga Dhoma e Përfaqësuesve me 262 vota pro dhe 159 kundër.
Në fokus të legjislacionit janë të ardhurat e Rusisë nga eksportet e naftës dhe gazit. Masat mund të prekin edhe vendet që vazhdojnë të blejnë energji ruse, duke zgjeruar presionin përtej Moskës.
Legjislacioni parashikon gjithashtu sanksione ndaj zyrtarëve politikë dhe ushtarakë rusë, si dhe ndaj rrjeteve dhe individëve jashtë Rusisë që ndihmojnë furnizimin e makinerisë së luftës dhe anashkalimin e sanksioneve. Në shënjestër janë edhe anijet e flotës së ashtuquajtur “fantazmë”, të përdorura për transportin e naftës ruse.