Vrasje e rëndë në Prizren, burri dyshohet se vrau gruan me dhunë fizike
Një grua 80-vjeçare është privuar nga jeta në Prizren, ndërsa bashkëshorti i saj, B.D., dyshohet se e ka vrarë duke ushtruar dhunë fizike. Rasti ka ndodhur më 26 gusht, rreth orës 01:30 pas mesnatës.
Sipas të dhënave fillestare të hetimit, ngjarja dyshohet se ka ndodhur brenda familjes. Prokuroria Themelore në Prizren e ka cilësuar rastin si “Vrasje e rëndë”.
Me vendim të prokurorit të shtetit, B.D. është ndaluar për 48 orë për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”.
Prokuroria ka bërë të ditur se, brenda afatit ligjor, do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.