WhatsApp ndryshon sigurinë e llogarive, ja çfarë sjell verifikimi i ri
WhatsApp ka nisur zbatimin e disa ndryshimeve të reja që synojnë forcimin e sigurisë së llogarive dhe mbrojtjen e përdoruesve nga mashtrimet. Ndryshimi kryesor lidhet me mënyrën e verifikimit me dy hapa.
PIN-i tradicional gjashtëshifror do të zëvendësohet me një fjalëkalim më të gjatë, i përbërë nga shkronja dhe numra. Përdoruesit do të mund të shtojnë edhe karaktere speciale, ndërsa fjalëkalimi duhet të ketë së paku tetë karaktere, një shkronjë dhe një numër.
Përdoruesit që e kanë aktivizuar tashmë verifikimin me dy hapa mund ta zëvendësojnë PIN-in përmes cilësimeve të llogarisë. Ky ndryshim u jep mundësi të kalojnë në formatin e ri të fjalëkalimit.
Adresa e e-mailit do të ketë rol të rëndësishëm në rikthimin e qasjes në llogari në rast se përdoruesi e harron fjalëkalimin. Pa një adresë të vlefshme, mundësitë për rikuperimin e profilit mund të jenë të kufizuara.