Foto: Gjykata cakton 1 muaj paraburgim ndaj serbit që dyshohet se sulmoi KFOR-in në Zveçan

Gjykata cakton 1 muaj paraburgim ndaj serbit që dyshohet se sulmoi KFOR-in në Zveçan

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj një të dyshuari që u arrestua nën dyshim për sulmin ndaj KFOR-it në Zveçan.

Sipas aktakuzës, i pandehuri po përballet me pesë vepra penale: bashkim për veprimtari kundër kushtetuese, rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare, pjesëmarrja në turmë që kryen veprën penale dhe huliganizëm, sulmi ndaj personit zyrtar, si dhe mbajtja, kontrolli ose posedimi i paautorizuar i armëve.

Në arsyetimin e vendimit, gjykata ka vlerësuar se masa e paraburgimit është e përshtatshme pasi ekziston rrezik real që i pandehuri, nëse lirohet, mund të arratiset me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale. Gjykata gjithashtu ka pasur parasysh që i njëjti është shtetas i Serbisë, duke e vlerësuar këtë si faktor që rrit rrezikun e arratisjes.

Sipas njoftimit, masa do të shërbejë për të parandaluar arratisjen derisa të kryhen veprimet e mëtejshme procedurale në këtë çështje penale.