Në Shkup nis gjykimi ndaj Artan Grubit dhe shtatë të pandehurve
Gjykata Themelore Penale në Shkup nis sot procesin gjyqësor ndaj ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi dhe shtatë personave të tjerë, në një rast që lidhet me abuzime në Shoqërinë Aksionare për Organizimin e Lojërave të Fatit, Lotaria Shtetërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Sipas aktakuzës së ngritur më 13 gusht nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup, të pandehurit gjatë viteve 2023 dhe 2024 kanë ndërmarrë bashkërisht veprime që kanë tejkaluar kufijtë e autorizimeve dhe detyrave të tyre të veçanta.
Prokuroria pretendon se këto veprime janë ndërmarrë me qëllim që t’i shkaktohej dëm personit juridik të dëmtuar, Lotarisë Shtetërore, në shumën prej 507,632,173 denarësh.
Të gjithë të pandehurit akuzohen për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar, sipas nenit 353, paragrafi 5, në lidhje me paragrafin 4 të legjislacionit përkatës.