Shpërthim në fabrikën e çelikut në Izmir, 16 të vdekur

Të paktën 16 persona kanë humbur jetën dhe 13 të tjerë janë plagosur pas një shpërthimi të fuqishëm në një fabrikë çeliku në provincën e Izmirit, në Turqinë perëndimore.

Lajmin e ka bërë të ditur presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan. Ai ka njoftuar se autoritetet kanë nisur hetime gjyqësore dhe administrative për të zbardhur shkaqet e shpërthimit dhe për të përcaktuar përgjegjësit.

Shpërthimi ndodhi gjatë procesit të derdhjes së çelikut në fabrikën HABAŞ, në distriktin Aliağa. Sipas vlerësimeve paraprake të Zyrës së Guvernatorit të Izmirit, një vinç i varur u shkëput dhe ra brenda një furre elektrike, duke shkaktuar shpërthimin dhe më pas zjarrin. Të plagosurit u dërguan në spitalet e zonës, ndërsa në vendngjarje ndërhynë zjarrfikësit, ekipet mjekësore dhe personeli i kërkim-shpëtimit.