OVL-UÇK në Lipjan përjashton anëtarin pas deklaratës ndaj Ramush Haradinajt
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Dega në Lipjan, ka konfirmuar vendimin për përjashtimin e anëtarit Skender Llugiqi nga organizata. Vendimi lidhet me veprimet dhe deklarimet e tij ndaj Ramush Haradinajt.
Në vendimin e datës 22 gusht 2026, OVL-UÇK në Lipjan thekson se gjatë shqyrtimit janë marrë parasysh veprimet dhe deklarimet e Llugiqit. Në dokument përmendet edhe “kërcënimi me vrasje ndaj Gjeneralit të Luftës së UÇK-së, z. Ramush Haradinaj”.
Sipas degës së OVL-UÇK-së në Lipjan, këto veprime konsiderohen të rënda dhe të papranueshme, pasi bien ndesh me qëndrimin dhe vlerat e organizatës. Dega ka deklaruar se do të qëndrojë në mbrojtje të vlerave të Luftës Çlirimtare dhe të dinjitetit të atyre që luftuan e sakrifikuan për lirinë e Kosovës.