Banorët e Zhurit pa ujë në vapën mbi 35°C: “Ku shkuan 3 milionë eurot?”
Banorët e fshatit Zhur të Prizrenit kanë ngritur shqetësimin për mungesën dhe ndërprerjet e shpeshta të ujit të pijshëm, në një periudhë kur temperaturat kanë kaluar 35 gradë Celsius.
Përmes një ankese, një grup banorësh kanë thënë se i paguajnë rregullisht faturat e ujit, por furnizimi ndërpritet shpesh pa një njoftim të qartë për arsyet dhe kohëzgjatjen e reduktimeve. Sipas tyre, mungesa e ujit është veçanërisht shqetësuese gjatë ditëve të nxehta, kur ai është nevojë bazë për familjet.
Banorët kanë ngritur pikëpyetje edhe për menaxhimin e sistemit të ujësjellësit, duke e lidhur shqetësimin me një investim prej rreth 3 milionë eurosh në këtë zonë. Ata kërkojnë sqarim zyrtar për arsyet e reduktimeve dhe publikimin e një orari të furnizimit.