Foto: Vetplagoset me armë gjatë pastrimit të saj në Vitomiricë të Pejës

Vetplagoset me armë gjatë pastrimit të saj në Vitomiricë të Pejës

Një person është plagosur me armë zjarri në fshatin Vitomiricë të Pejës, në një incident që ndodhi rreth orës 14:15. I plagosuri është dërguar fillimisht për trajtim në Spitalin Rajonal të Pejës.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, i cili ka bërë të ditur se Policia është njoftuar për ngjarjen në atë kohë.

Sipas deklarimit të të plagosurit para policisë, ai ishte duke pastruar një armë të gjatë kur dyshohet se është vetëplagosur aksidentalisht.

Për shkak të gjendjes shëndetësore, personi më pas është transferuar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave po zhvillohen nga hetuesit e Sektorit Rajonal për Hetime.