Zjarret përfshijnë malet përreth Prishtinës, Komuna bën apel urgjent
Malet përreth Prishtinës po përballen me zjarre, ndërsa Komuna u ka bërë apel urgjent qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal përballë rrezikut të përhapjes së flakëve.
Sipas njoftimit të Komunës, temperaturat e larta dhe kushtet e thata mund ta përshpejtojnë përhapjen e zjarreve. Flakët mund të rrezikojnë pyjet, kafshët, pronat dhe jetën e qytetarëve.
Qytetarëve u është kërkuar të mos ndezin zjarre në natyrë, të mos djegin barishte, hamullishta apo mbeturina dhe të mos hedhin cigare të ndezura. Po ashtu, ata duhet të shmangin lënien e prushit ose të materialeve të tjera që mund të shkaktojnë zjarr.
Në rast se vërejnë tym ose zjarr, qytetarët duhet të largohen nga zona e rrezikut dhe ta lajmërojnë menjëherë Shërbimin e Zjarrfikësve në numrin 193.