Aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit për spiunazh dhe shantazh
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit për veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”, në një rast që përfshin dyshime për lidhje me Shërbimin Informativ të Serbisë, BIA.
Sipas aktakuzës, Sheholli, nga një periudhë e papërcaktuar deri më 9 tetor 2025, dyshohet se ishte rekrutuar nga BIA dhe se e kishte ndihmuar veprimtarinë e këtij shërbimi duke vepruar sipas urdhrave dhe detyrave të zyrtarëve të tij.
Prokuroria pretendon se ai ka mbledhur, siguruar dhe përcjellë përmes mesazheve telefonike të dhëna, informacione dhe dokumente lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Për veprën penale “Shantazh”, sipas aktakuzës, Sheholli dyshohet se gjatë periudhës nga viti 2022 deri në dhjetor të vitit 2025 ka shantazhuar një person, duke e detyruar të veprojë në dëm të pasurisë së tij në një shumë që tejkalon 13 mijë euro.