Në Mitrovicë ngrihet aktakuzë ndaj dy personave për shitje të kokainës
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj R.H. dhe Q.H., të dyshuar për shitje të kokainës në këtë qytet.
Sipas aktakuzës, dy të pandehurit dyshohet se, në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, nga 22 tetori 2025 deri më 9 janar 2026, në rrugën “Rifat Dedia”, në lagjen Kolloni, u kanë shitur personave të ndryshëm kokainë në sasi prej 0.22 deri në 0.50 gramë.
Gjatë kontrollit, autoritetet kanë gjetur dhe sekuestruar katër qese me substancë narkotike, me peshë të përgjithshme 1.7 gramë, një mulli për bluarje të substancave narkotike, dy telefona mobilë dhe 1,700 euro para të gatshme. Prokuroria i ka propozuar Gjykatës Themelore në Mitrovicë që dy të pandehurit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit për veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.