Foto: Dogana sekuestron 2,559 pako barnash pa banderola në Prishtinë

Dogana sekuestron 2,559 pako barnash pa banderola në Prishtinë

Dogana e Kosovës ka sekuestruar 2,559 pako barnash pa banderola të Republikës së Kosovës gjatë një kontrolli në një subjekt farmaceutik dhe në një shtëpi banimi në Prishtinë. Sipas njoftimit të Doganës, vlera e përgjithshme doganore e barnave është 20,745.94 euro.

Gjatë kontrollit në subjektin farmaceutik, njësitë kompetente kanë zbuluar një hapësirë të modifikuar në pjesën e tualetit të lokalit. Në atë hapësirë ishin fshehur 2,161 pako barnash, pa dokumentacion mbulues dhe pa banderola të Republikës së Kosovës.

Me autorizim të prokurorit kompetent, kontrolli ka vazhduar edhe në një shtëpi banimi të ndërlidhur me rastin. Në bodrum dhe në pjesë të tjera të objektit janë gjetur edhe 398 pako barnash pa banderola RKS.

Kontrollet janë realizuar nga njësitë kompetente, në bashkëpunim me Sektorin e Hetimeve, bazuar në një informatë zyrtare. Në të dyja lokacionet janë sekuestruar gjithsej 2,559 pako barnash.