Rrjeti i Grave kërkon parandalimin e dhunës pas vrasjes në Malishevë
Vrasja e një gruaje 25-vjeçare shtatzënë në Malishevë ka rikthyer në vëmendje mënyrën se si institucionet në Kosovë po e parandalojnë dhunën ndaj grave. Rrjeti i Grave të Kosovës kërkon që shteti të veprojë para tragjedive, e jo vetëm pas tyre.
Gruaja dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj më 24 gusht. Rasti ka nxitur pikëpyetje për efektivitetin e mekanizmave shtetërorë të ngritur për mbrojtjen e viktimave të dhunës.
Sipas të dhënave të cituara në këtë rast, nga viti 2010 deri në gusht të vitit 2026, Policia e Kosovës ka regjistruar 62 gra si viktima të vrasjeve brenda familjes.
Pas rastit në Malishevë, zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka zhvilluar takim me përfaqësues të Policisë së Kosovës, Prokurorisë, Gjykatës dhe Qendrës për Punë Sociale. Në takim është shqyrtuar funksionimi i mekanizmave institucionalë.