Katër shoferë tejkaluan shpejtësinë në Gjakovë-Klinë, u merren patentat
Katër shoferë u identifikuan gjatë një kontrolli të shpejtësisë më 30 gusht, në fshatin Vraniq, në segmentin rrugor Gjakovë-Klinë. Ata e kishin tejkaluar ndjeshëm kufizimin e shpejtësisë prej 60 kilometrash në orë, ndërsa ndaj tyre u morën masa ndëshkuese.
Sipas Policisë, dy prej shoferëve po lëviznin me 188 dhe 162 kilometra në orë. Secili prej tyre u gjobit me nga 500 euro, mori pesë pikë negative dhe iu ndalua drejtimi i mjeteve motorike për gjashtë muaj.
Dy shoferët e tjerë u kapën duke vozitur me 135 dhe 123 kilometra në orë. Për ta u shqiptuan gjoba prej 300 eurosh, tri pikë negative dhe ndalim i drejtimit të automjeteve për tre muaj. Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Gjakovë ka intensifikuar kontrollet në kuadër të planit operativ “Vera 2026”, me qëllim parandalimin e kundërvajtjeve dhe rritjen e sigurisë në komunikacion.