Katër të dyshuar ndalohen për keqpërdorim në testin për patentë shofer
Katër persona janë ndaluar në Mitrovicë të Jugut nën dyshimet për keqpërdorim gjatë testit me shkrim për patentë shofer. Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë veprimeve janë sekuestruar edhe pajisje telekomunikuese.
Sipas njoftimit, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, përkatësisht Njësia Rajonale në Mitrovicë të Jugut, ka ndërmarrë veprime operative dhe hetimore lidhur me rastin.
Hetimi lidhet me dyshimet se persona të caktuar, në bashkëveprim, janë përfshirë në veprimtari të kundërligjshme me qëllim që t’u ndihmonin kandidatëve ta kalonin testin me shkrim për patentë shofer.
Policia ka bërë të ditur se pajisjet e sekuestruara dyshohet se janë përdorur gjatë testit. Veprimet hetimore kanë nisur pas informacioneve të pranuara dhe kanë rezultuar me sigurimin e provave dhe informacioneve që ngrenë dyshime të arsyeshme për rastin.