Hetimi në BKS zgjerohet: 69 të pandehur dhe 35 prona të ngrira
Hetimi për keqpërdorimet e dyshuara në Byronë Kosovare të Sigurimeve është zgjeruar ndaj 21 punëtorëve të rinj, duke e çuar në 69 numrin e përgjithshëm të të pandehurve në këtë çështje penale.
Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës kanë njoftuar se punëtorët e rinj po hetohen nën dyshimin për veprën penale “Keqpërdorimi i besimit në ndihmë”.
Sipas hetimeve, ekziston dyshimi se të pandehurit, në kundërshtim me rregullat dhe procedurat e brendshme të BKS-së, kanë mundësuar ose kanë marrë pjesë në bartjen dhe përfitimin e shumave të parave pa mbulesë.
Vlerat e dyshuara për person variojnë nga 2 mijë deri në 53 mijë euro, ndërsa dëmi shtesë ndaj BKS-së vlerësohet në rreth 200 mijë euro.
Në kuadër të hetimit financiar, janë ngrirë 35 prona dhe llogari bankare. Hetimet po zhvillohen nga Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.