Katër ditë pa ditarë shkollorë, AVONET kërkon përgjegjësi nga MAShTI
Shkollat e Kosovës kanë mbetur pa ditarë shkollorë edhe në ditën e katërt pas fillimit të vitit të ri shkollor, ndërsa AVONET ka kërkuar përgjegjësi nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
AVONET e ka cilësuar shqetësuese mungesën e këtij mjeti në ditët e para të procesit mësimor. Sipas organizatës, ditari shkollor është një nga mjetet bazë për evidentimin, dokumentimin dhe administrimin e mësimit.
Organizata ka ngritur pyetjen se pse ditarët nuk janë siguruar dhe shpërndarë para fillimit të procesit mësimor dhe kush mban përgjegjësi për situatën. Sipas AVONET, mungesa e tyre ngre shqetësime për planifikimin dhe menaxhimin institucional.
“Katër ditë pa një mjet bazë të punës janë tregues i një dështimi në planifikim dhe koordinim institucional”, thuhet në reagimin e AVONET-it, e cila kërkon përgjigje nga MAShTI për këtë situatë.