Kosova vendos detyrim shtesë për farën e grurit nga Serbia
Kosova ka vendosur masë antidamping ndaj importit të farës së grurit për mbjellje me origjinë nga Serbia, duke vendosur një detyrim shtesë për këtë produkt. Vendimin e ka njoftuar ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila.
Sipas Kusari-Lilës, detyrimi i përkohshëm është caktuar në 0.04 euro për kilogram të farës së grurit të importuar. Masa lidhet me produktin që përdoret për mbjellje dhe zbatohet ndaj importeve me origjinë nga Serbia.
Ministrja ka bërë të ditur se vendimi është nënshkruar pas një hetimi të zhvilluar nga ministria. Sipas saj, gjatë hetimit janë evidentuar dëshmi paraprake për importe me çmime damping dhe për dëmtim të prodhuesve vendorë.
Kusari-Lila ka deklaruar se prodhuesit vendorë duhet të mbrohen nga konkurrenca e pandershme, ndërsa institucionet do të përdorin instrumentet ligjore në dispozicion për mbrojtjen e prodhimit vendor, konkurrencës dhe interesit ekonomik të Kosovës.