Foto: Dëshmia në gjykimin e Pantiqit dhe Zariqit: “Linda pa ndihmë mjekësore”

Dëshmia në gjykimin e Pantiqit dhe Zariqit: “Linda pa ndihmë mjekësore”

Momir Pantiq dhe Zharko Zariq, të akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile, janë sjellë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Departamentin Special, ku po vazhdon shqyrtimi gjyqësor ndaj tyre.

Në seancën e sotme ka dëshmuar H.A., e cila ka rrëfyer për përjetimet e saj gjatë luftës në Kosovë. Ajo deklaroi se ishte shtatzënë kur, së bashku me qindra civilë të tjerë, mbahej e ndaluar në një shtëpi të familjes Alushaj.

Dëshmitarja tha se vajzën e kishte lindur në atë shtëpi, pa asnjë ndihmë mjekësore. Sipas rrëfimit të saj, në lindje e kishin ndihmuar gratë që ndodheshin aty, ndërsa pas lindjes ajo nuk ishte ndier mirë.

“Kam qenë shtatzënë dhe kam lindur në atë shtëpi. Nuk kam pasur ndihmë mjekësore, më kanë ndihmuar gratë që kanë qenë aty. Pas kësaj nuk kam qenë fare mirë”, ka deklaruar H.A. para gjykatës.

Ajo tregoi gjithashtu se civilëve u ishte dhënë një dokument, të cilin ishin urdhëruar ta paraqisnin si dëshmi se ishin zënë rob.