Arratiset i burgosuri shqiptar nga spitali grek, të armatosurit u shtirën si policë
Një i burgosur shqiptar është arratisur nga spitali i Serres në Greqi, pasi persona të armatosur ndërhynë gjatë transportimit të tij dhe i detyruan shoqëruesit të dorëzoheshin.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së premtes, kur 41-vjeçari po dërgohej nga burgu i Nigritës në spital për kontroll mjekësor.
Sipas të dhënave për ngjarjen, personat mbërritën me automjete që ngjanin me ato të policisë. Shoqëruesit fillimisht dyshuan se bëhej fjalë për një ndërhyrje policore, por situata ndryshoi kur personat zbritën të armatosur me kallashnikovë.
Ata kërcënuan punonjësit që po shoqëronin të burgosurin, ua morën armët e shërbimit dhe e nxorën 41-vjeçarin nga automjeti. Më pas, grupi u largua me automjete, ndërsa policia greke nisi operacion kërkimi në zonën e Serres.