Foto: Vetaksidenti në Shirokë i merr jetën 49-vjeçarit, policia jep detaje

Vetaksidenti në Shirokë i merr jetën 49-vjeçarit, policia jep detaje

Një 49-vjeçar ka humbur jetën në një vetaksident trafiku të ndodhur të dielën pasdite në rrugën e Transitit, në Shirokë të Suharekës. Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyçi.

Sipas Policisë, aksidenti ka ndodhur rreth orës 16:20, kur ngasësi, për shkaqe ende të panjohura, ka humbur kontrollin mbi automjetin dhe ka dalë nga rruga. Ai ka pësuar lëndime të rënda, ndërsa tre pasagjerë, një 49-vjeçare dhe dy fëmijë, kanë marrë lëndime të lehta.

Rreth orës 20:40, Spitali Rajonal i Prizrenit e ka njoftuar Policinë se ngasësi ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të marra në aksident. Rasti po hetohet nga njësitë kompetente të Policisë, në koordinim me Prokurorin e Shtetit.